Në ambjentet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u betua gjenerata e diplomatëve të quajtur gjenerata “Ismail Qemali”, ku mori pjesë edhe ministri Ditmir Bushati.

Në fjalën e tij përshëndetëse, duke iu uruar suksese në pikënisjen e tyre të punës në Shërbimin e Jashtëm, këshilla e ministrit ishte: dashuria për atdheun dhe rritja profesionale.

“Është e rëndësishme që në thelb të punës suaj si diplomatë të keni dashurinë për atdheun. Jetojmë në kohë të pasigurta, kur tundet flamuri i nacionalizmit, por dashuria për atdheun, duhet të ndërthuret me dashurinë për detyrën, shumëfishimin e dijeve tuaja në praktikë. Kështu do të kemi një pozicionim më të mirë në Shërbimin tonë të Jashtëm”, u shpreh ministri.

Ceremonia e betimit të diplomatëve të rinj, tashmë po bëhet një traditë për diplomacinë shqiptare. Gjenerata e parë e diplomatëve të rinj, ishte ajo e vitit 2015 që u quajt gjenerata “Urdhëri i Skënderbeut”, më pas gjenerata e vitit 2016, e cila u quajt gjenerata “Rauf Fico”, për të vijuar me gjeneratën e vitit 2017 që mban emrin e Ismail Qemalit.

Diplomatët e rinj bënë betimin para Kushtetutës dhe flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar. Në ceremoni morën pjesë punonjës të MEPJ-së, të ftuar dhe familjarë të të diplomatëve që kryen Aktin e Betimit.

Top Channel