Përballë disa prej futbollistëve më të kushtueshëm të globit, Besart Berisha la shenjën e tij në fushë, gjithsesi e pamjaftueshme për të evituar disfatën në Ligën aziatike të Kampioneve.

Sulmuesi, që më parë ka luajtur me Kombëtaren shqiptare të futbollit, gjeti golin e parë në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe, në turneun kontinental, por finalizimi i tij vlejti thjesht për statistika, pasi Melbourne Victory pësoi humbjen e parë në grupin F.

Skuadra e Berishës u mposht me rezultatin e thellë 4-1 nga skuadra kineze e Shanghai SIPG, që drejtohet nga portugezi Vitor Pereira dhe që ka në përbërje lojtarë të nivelit shumë të lartë, siç janë brazilianët Hulk, Oscar e Elkesson.

Në minutën e 69, Besart Berisha ktheu në gol një 11-metërsh, duke ngushtuar përkohësisht rezultatin në 3-1, megjithatë sfida përfundoi me fitoren 4-1 të Shanghai SIPG, falë golave të Hulk me penallti, Vu Lei dhe Oscar, i cili realizoi dy herë në portën e skuadrës australiane.

Besart Berisha luajti me Shqipërinë para se të vendoste të përfaqësonte Kosovën, skuadër me të cilën vendosi të mos luajë, pas përplasjeve me trajnerin e larguar Albert Bunjaku.

Top Channel