Vodhi gishtin e terrakotave, zemërim në Kinë ndaj hajdutit

19/02/2018 17:43

Autoritetet kineze kanë kërkuar dënim të ashpër për një burrë që raportohet se ka vjedhur gishtin e madh të një statuje luftëtari prej balte, që ishte ekspozuar në Shtetet e Bashkuara.

Siç raporton media shtetërore kineze, statuja 2.000-vjeçare, me vlerë 4.5 milionë dollarë, i është dhënë huà, bashkë me 10 të tjera, Institutit “Franklin” në Filadelfia.

Javën e shkuar, Michael Rohana u akuzua për vjedhje dhe dëmtim të një vepre arti dhe më pas u la i lirë me kusht.

Sipas raporteve, 24-vjeçari Rohana po merrte pjesë në një festë në Institutin “Franklin”, kur kishte mundur të hynte në ekspozitën e luftëtarëve “terrakota”, që ishte e mbyllur në atë kohë.

“Ai kishte bërë një ‘selfie’ me një nga luftëtarët – citon media kineze FBI-në, – e më pas kishte vendosur dorën mbi statujë, e duket se kishte thyer diçka. Pjesën e thyer, që me sa duket ishte gishti i madh, e kishte futur në xhep dhe ishte larguar”.

Stafi i muzeut e kishte vënë re gishtin e humbur disa javë më vonë dhe FBI-ja kishte rënë më pas në gjurmët e Rohanës.

Vet ky i fundit kishte pranuar gjithçka dhe kishte thënë se e kishte mbajtur gishtin në një nga sirtarët e tavolinës së tij. Tani, ekspertë kinezë janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të vlerësuar dëmin dhe riparuar statujën, duke rikthyer në vend gishtin e vjedhur.

Pas kësaj nuk përjashtohet edhe një kërkesë për kompensim. Ushtria e “terrakotave” është një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të Kinës. Ajo përbëhet nga 8.000 luftëtarë në përmasa reale, të ndërtuar nga perandori kinez Qind Shi Huang, i cili vdiq në vitin 210 të erës sonë, i cili besonte se ata do ta mbronin në jetën tjetër.

Ata u zbuluan në qytetin Xian të Kinës në vitin 1974 nga një grup fermerësh kinezë.

Top Channel