Shqipëria josh bizneset italiane, të gatshëm të udhëheqin industrializimin e Shqipërisë

19/02/2018 09:43
FOTO LSA

Kryeministri Edi Rama ftoi bizneset italiane të investojnë në Shqipëri, me të njëjtat argumenta si edhe më parë: taksa të ulëta dhe fitime të sigurta.

“Vendi ynë ka potenciale rritje dhe mundësi të mëdha investimesh në energji, bujqësi, veçanërisht në sektorin agroushqimor. Por sipas nesh hapësira që ofron mundësi me rritje eksponenciale është ajo e turizmit. Çdo vit agjencitë tona turistike kthejnë mbrapsht 5 për qind të kërkesave sepse nuk kemi kapacitet oferte”, u shpreh Rama.

Në forumin e përbashkët ekonomik Shqipëri-Itali ishin të pranishme mbi 200 kompani të mëdha italiane, ne një xhiro totale prej 17 miliardë eurosh.

“Kjo tregon vëmendjen e madhe që sistemi ekonomik italian ka ndaj Shqipërisë. Por për Italinë Shqipëria mund të jetë porta hyrëse drejt Ballkanit perëndimor. Ky është një rol shumë i rëndësishëm, nga pikëpamja jonë strategjik”, tha Ivan Scalfarotto, zv mnistri italian i Ekonomisë.

Italia është partneri më i madh ekonomikë i Shqipërisë. Por synimi I bizneseve italiane është që të udhëheqin industrializimin e ekonomisë shqiptare.

“Prania jonë kaq e madhe këtu nuk është formale. Sot për ne fillon një rrugëtim i ri sepse mendojmë qe Shqipëria dhe Italia së bashku mund te luajnë një ndeshje të madhe në aspektin industrial”, tha Vincencio Bocia, president Confindustria.

Por cilat janë kërkesat që investitorët italianë kanë ndaj Shqipërisë?

“Janë të njëjtat me ato që kemi ndaj qeverisë tonë. siguria e rregullave, reforma në drejtësi dhe një infrastrukturë më e mirë”, tha Bocia.

Bizneset italiane përfaqësojnë më shumë se gjysmën e vendeve të punës të hapura në Shqipëri nga të huajt.

Top Channel