Fitorja në derbin e Torinos ka pasur një faturë vërtet të kripur për Juventusin, që duhet tashmë të bëjë llogaritë me dëmtimet e dy lojtarëve vendimtarë, si Higuain dhe Bernardeschi.

Sulmuesi argjentinas vuajti një traumë në kaviljen e majtë, e duke përjashtuar rikuperimin e befasishëm, ai do të mund të prekë sërish fushat e lojës në muajin mars.

Sipas stafit mjekësor të kampionëve të Italisë, Gonzalo Higuain do të detyrohet të shohë si spektator përballjen ndaj Atalantës në Serie A, e me të gjitha gjasat edhe Kupën e Italisë.

Bomberi amerikano-latin do të mund të kthehet vetëm për ndeshjen ndaj Lacios, si dhe për sfidën e kthimit ndaj Tottenhamit në Champions League, më 7 mars.

Por dëmtimi i Higuain nuk është i vetmi që shqetëson stafin teknik të Juventusit. Ndaj Torinos u ndal edhe Bernardeschi për një dëmtim në gjurin e majtë.

Ish-futbollisti i Fiorentinës do të kryejë analiza të mëtejshme, por për të parashikohet pushimi, si masë paraprake, dhe Allegri do të mund ta aktivizojë vetëm pas 3 javësh kundër Tottenham Spurs.

Top Channel