Ish-ministri i Transporteve i LSI-së, Edmond Haxhinasto u pyet për më shumë se dy orë nga prokurorët e Krimeve të Rënda për llogari të dosjes së rrugës Tiranë-Elbasan.

Prokurorja Elisabeta Imeraj e thirri deputetin e LSI në cilësinë e personit që ka dijeni përsa kohë një sërë ish-zyrtarësh janë nën hetim për dyshimet e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe korrupsionit me fondet e rrugës, ndërtimi i të cilës ende nuk ka përfunduar.

Siç mësohet nga burimet, Haxhinasto është pyetur nëse janë ndërmarrë apo jo masa nga ministria pas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që konstatoi abuzimet me mënyrën si është zbatuar projekti.

Por e gjithë kjo u kthye në një çështje penale në muajin dhjetor 2017 vetëm, pasi ministri Damian Gjiknuri kallëzoi disa ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shtetëror, sepse nga auditi rezultoi të kishte ndryshime të kontratës bazë pa u miratuar në Këshillin Teknik dhe pa marrë mendimin e Avokaturës së Shtetit.

“Më pyetën për përgjegjësit e mia si drejtues politik. Dëshmova për ato gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mia kur kam qenë në një periudhë të zhvillimit të këtij projekti. Jam thirrur si person për të dëshmuar në projektin e Rrugës Tiran-Elbasan”. u shpreh Haxhinasto.

Sipas burimeve priten të pyetën edhe pasardhësi i Haxhinastos, ish-ministri po i LSI, Sokol Dervishaj dhe drejtori aktual i Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro.

Deri më tani janë arrestuar me vendim gjykate ish-Drejtori i Përgjithshëm i rrugëve, Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e njësisë së menaxhimit të projekteve, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.

Prokuroria ka dyshime se të tre ish-zyrtarët kanë ndryshuar në 12 pika kontratën bazë të vitit 2012 për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, që megjithë fondet dhe shtesat e borxheve investimet nuk janë mbyllur ende.

Grupi i hetimit dyshon se në kontratë është ndërhyrë pa marrë mendimin e Këshillit Teknik dhe të Bordit. Ndryshimet e kontratës nisin nga shtyrja e afatit të punimeve me 347 ditë, likuidime punimesh të pakontraktuara më parë, apo edhe vlera të projektit të kontraktuara më të larta se ato që ishin miratuara nga Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor.

Në dosje thuhet se abuzive është edhe mbajtja e dy qëndrimeve në kohë të ndryshme nga njësia e menaxhimit të projekteve, kur kërkohej shtesë fondi prej 35 milionë dollarë pa patur një projekt të miratuar.

Grupi i hetimit thotë se mes Autoritetit Rrugor dhe njësisë së menaxhimit të projekteve ka munguar kontrolli i duhur për analizuar problematikat në kohë.

Madje sipas dyshimeve paraprake pas rrëshqitjeve të dheut në këtë aks në 2014 , autoritetet kanë reaguar dy vjet me vonesë.

Top Channel