De Boer shfryn kundër Interit: Lojtarët, klane brenda ekipit

19/02/2018 16:37

Pas një nisjeje të mirë të kampionatit dhe me rolin e pretendentit për titullin kampion, Interi ka njohur limitet e këtij sezoni dhe tani po lufton për të qenë mes ekipeve që kualifikohen në Champions League.

Por, ashtu si në çdo kampionat, kritikat vazhdojnë të bien mbi drejtuesit në pankinë, një mënyrë që sipas Frank De Boer është totalisht e gabuar.

Sipas holandezit, që drejtoi Interin për pak muaj në vitin 2016, lojtarët janë të ndarë në klane dhe pengojnë njëri-tjetrin.

“Në Itali kisha shumë vështirësi, jo vetëm për shkak të gjuhës, që nuk e njihja, por edhe për mënyrën sesi mund t’ua transmetoja lojtarëve idetë e mia. Tek Interi ka një grup prej thuajse 7 ose 8 futbollistësh, që ka tendencë të pengojë të tjerët. Aty të gjithë bazohen te ndjenjat, pasi formojnë një bllok dhe synojnë të nxjerrin jashtë loje pjesën tjetër”, tha trajneri holandez, i shkarkuar nga zikaltrit para dy vitesh.

Akuzat e tij bëhen sërish aktuale, në kohën kur Spalletti po e sheh gjithmonë e më larg të ardhmen te klubi nga “San Siro”.

“Kishte pak rrëmujë, pasi futbollistët bënin atë që donin dhe unë nuk kisha parë asnjëherë diçka të tillë në një ekip. Edhe të rinjtë e Ajaksit respektonin më mirë lojën e pozicioneve”, tha tekniku holandez.

Top Channel