“Çermenika” shkon në Greqi; Dega e shoqatës nga Librazhdi hapet edhe në Selanik

19/02/2018 12:26

Me dashurinë dhe përkushtimin për traditat, zakonet dhe trashëgimin e kulturore e patriotike të një prej zonave më të veçanta të Shqipërisë, është themeluar në Selanik, dega e Greqisë për shoqatën “Çermenika 2017”.

“Shoqata Kulturore “Çermenika 2017″ nuk mund të ishte kompletuar pa praninë, e emigrantëve, motrave e vëllezërve tonë që banojnë e jetojnë në Selanik”, u shpreh Behar Almeta, kryetar i Shoqatës Kulturore “Çermenika 2017”.

Pas suksesit të saj ne territorin shqiptar, tashme kjo shoqate me frymën e bashkëpunimit dhe ndihmës për emigrantët jashtë atdheut, ka bërë hapin e parë të saj në Greqi, ndërsa pritet së shpejti dhe krijimi i degëve të saj në Itali e Gjermani, që të mbështesë në mënyrë dinjitoze vendlindjen duke promovuar gjithçka të mire të zonës së Çermenikës dhe sidomos vlerat e saj patriotike e kulturore.

“Festa e Ditës së Verës ka lindur në Çermenikë dhe për arsye nga më të ndryshme ka zbritur… Çermenikasit kanë emigruar ndër vite, sidomos në Elbasan. Bashkë me emigrimin morën edhe festën me vete”, u shpreh Behar Almeta kryetar i Shoqatës Kulturore “Çermenika 2017”.

Pasi kanë marrë edhe kartat e anëtarësimit pjesëtarët e kësaj shoqate në Selanik kanë dëgjuar edhe këngë nga zona e tyre.

“Shoqata “Çermenika 2017” këtu do të merret me promovimin e vlerave tona, për ndihmën ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Ylli Leka, kryetari i shoqatës “Çermenika 2017” Selanik.

Gjithashtu një surprizë e këndshme për ta ishte edhe pjesëmarrja e rapsodit të njohur popullor Arben Pacani.

Top Channel