Bordi i UT akuzon Rektorin Koni: Uzurpoi kompetencat. Ka marrë edhe tenderat

19/02/2018 17:01

Përplasja në Universitetin e Tiranës mes Bordit të Administrimit dhe Rektorit, Mynyr Koni vijon. Bordi ka reaguar përmes një deklarate, ku akuzon Rektorin për shkelje të ligjit të arsimit të lartë.

“Rektori i UT-së që në momentin e konstituimit të Bordit të Administrimit nuk e ka njohur atë dhe administratorin, si dhe nuk ka protokolluar asnjë shkresë të administratorit dhe ka ndaluar protokollin e rektoratit që të jetë në funksion edhe të Bordit dhe të Administratorit”, thuhet në deklaratë.

Bordi akuzon rektorin për uzurpim të kompetencave administrative dhe financiare që i takojnë këti organi kolegjial.

“Z. Koni në vijimësi ka shprehur në mënyrë shkresore, por dhe verbale vullnetin e tij për të uzurpuar kompetenca administrative e financiare, funksione që ligji ia ka dhënë Bordit dhe Administratorit dhe penguar që ato të ushtrohen nga organet apo autoritetet e ligjshme”, vijon deklarata.

Në deklaratë, Bordi akuzon Konin për 11 shkelje të rënda ligjore, mes të cilave edhe ajo për realizimin e tenderave publikë.

“Rektori i UT-së është vetëcilësuar si Titullar i Autoritetit Kontraktor të UT-së, drejton të gjitha procedurat për realizimin e prokurimeve publike dhe ka firmosur kontrata me operatorët ekonomikë, subjekt të LPP; Kontratat administrative me të tretët për sigurimin e mallrave dhe shërbimeve mbështetëse universitare nuk po zbatohen nga Administratorët e disa fakulteteve, pasi janë kontrata të pavlefshme, përfaqësim, i cili, mbart edhe pasojat financiare që rrjedhin prej tyre”, thotë Bordi.

Top Channel