Ambasadori Delawie: Dekada e dytë e Kosovës nis këtë javë me Demarkacionin

19/02/2018 22:50

I kënaqur pas fundjavës së pabesueshme, siç e ka cilësuar edhe vet ai, të festimeve të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori Greg Delawie duket se ka një mesazh në lidhje me pikënisjen e progresit të Kosovës në këtë dekadë të dytë.

Ai ka zgjedhur rrjetin social “Twitter” për këtë dhe e bën në mënyrë tepër të qartë. Pret që ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi të jetë gjë e kryer brenda kësaj jave nga deputetët e Kuvendit kosovar.

“Ishte një fundjavë e pabesueshme. Festimet për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës mund të kenë përfunduar sot, por tashmë hedhim vështrimin drejt progresit të dekadës së ardhshme…duke nisur nga kjo javë me ratifikimin e Demarkacionit”, shkruan ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Delawie.

Këtë të hënë, mediet në Kosovë shkruajnë se Qeveria e Kosovës do të mblidhet dy herë gjatë së martës, fillimisht për të tërhequr projektligjin për Demarkacionin (marrëveshja e vitit 2015) nga Kuvendi, e më pas për të proceduar më tej projektligjin e rishikuar, me plotësimin e “aneksit” të nënshkruar nga presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, respektivisht Hashim Thaçi e Filip Vujanoviç.

Top Channel