Xavi: Cristiano më i mirë se Neymar? Çfarë bëri Cristiano?

18/02/2018 11:38

Xavi Hernández ka analizuar ndeshjen Real Madrid-PSG, e vlefshme për 1/8 e finaleve të Champions League.

Ish-mesfushori i Barcelonës, i cili aktualisht luan në Katar me Al Saad, deklaroi se rezultati 3-1 për madrilenët ishte i padrejtë dhe nuk është dakord me ata që thonë se Cristiano tregoi në këtë ndeshje se është më i mirë sesa Neymar.

“PSG pati mundësinë që të shënonte të dytin dhe nuk e shfrytëzoi. Reali nuk të fal në raste të tilla. Pa luajtur mirë, ata shënojnë. I mjafton një kundërsulm dhe të mposhtin. Kur shikon rezultatin 3-1, thua me vete se si është e mundur. Ishte një ndeshje që duhej të përfundonte 1-1, 2-2 ose 1-2 për PSG”, tha Xavi.

Më tej, ish-kapiteni i Barcelonës analizoi edhe duelin Cristiano-Neymar.

“Lexova shumë artikuj ku thuhej se Cristiano është ende më lart sesa Neymar. Jo, jo. Është e padrejtë. Çfarë bëri Ronaldo? Një penallti dhe një gol me gju. Harrojmë aksionet e rrezikshme që krijoi Neymar dhe kundërsulmet që nisi”, deklaroi Xavi.

Top Channel