Shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet kanë bërë të mundur arrestimin e një 27-vjeçari dhe kanë shpallur në kërkim një 24-vjeçar, të akuzuar për “plagosje të lehtë me dashje”, “kanosje”, “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “moskallëzim krimi” dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Në pranga përfundoi Gazmend Osmani, 27-vjeçari me banim në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur 24-vjeçari me banim në Kashar, T.Ll..

Osmani dhe 24-vjeçari, në bashkëpunim, kanë kanosur dhe plagosur lehtë me mjete të forta shtetasin A.D., në një ngjarje të regjistruar të premten rreth orës 11, në rrugën “Azem Meshi”.

Pas hetimit për këtë rast, policia kishte konstatuar të shtunën një automjet që drejtohej nga Gazmend Osmani, por ky nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë, e është larguar me shpejtësi. Pas ndjekjes së mjetit, policia ka mundur të kapë shtetasin Osmani në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës, e të bllokojnë edhe mjetin. Por, forcat e rendit nuk kanë mundur të ndalojnë edhe shtetasin T.Ll., që ishte pasagjer në automjet, i cili pas largimit është shpallur në kërkim.

Në automjet, gjatë kontrollit janë gjetur e sekuestruar dy maska dhe një karikator arme zjarri, pistoletë, me 5 fishekë.

Top Channel