Përplasjet e tij me FBI-në, Donald Trump i shpërfaqi edhe me tragjedinë e Floridës, kur e akuzoi Byronë Federale të Hetimit se kishte humbur sinjale të rëndësishme përpara episodit të dhunshëm, që kushtoi 17 jetë njerëzish.

“Agjencia kaloi shumë kohë duke u përpjekur të provonte ndërhyrjen ruse në fushatën Trump”, shkroi presidenti amerikan në “Twitter”.

“Nuk ka asnjë pakt të fshehtë të atij lloji, – vazhdon mesazhi i tij. – Kthejuni gjërave themelore dhe na bëni krenarë!”.

FBI-ja e ka pranuar se nuk u kushtoi vëmendjen e duhur informacioneve të marra mbi Nikolas Cruzin, muajin që shkoi, kur një person i afërt me të dyshuarin i foli për armët që i riu kishte në pronësi, dëshirën e tij për të vrarë njerëz, sjelljen e çuditshme, postimet shqetësuese në rrjetet sociale, si dhe potencialin e tij për të kryer një masakër në shkollë.

Informacioni i 5 janarit nuk ishte i vetmi, që FBI-ja pati marrë për këtë individ. Në muajin shtator, një burrë nga Mississippi i raportoi agjencisë së zbatimit të ligjit një koment të trazuar që ishte lënë në një video “Youtube”-i në emrin e Cruzit.

Gjithashtu, 19-vjeçari ishte vënë nën hetim nga policia lokale dhe Departamenti i Shërbimit familjar dhe të miturve në vitin 2016, pas postimit të një vetëlëndimi në “Snapchat”.

Shërbimet e kujdesit për të miturit paralajmëruan se ai planifikonte blerjen e një arme, por autoritetet dolën në përfundimin se ai po merrte mbështetje të mjaftueshme dhe e lanë çështjen me aq.

Top Channel