Kremlini hesht për rusët e vrarë nga SHBA në Siri

18/02/2018 18:19

Shtohen gjithnjë e më shumë të dhënat se sulmet ajrore amerikane në Siri kanë vrarë me dhjetëra kontraktorë ushtarakë rusë në fillim të këtij muaji. Por në kontrast të plotë me incidentin e pilotit rus të rrëzuar nga rebelët që u shpall hero, Moska duket se dëshiron që historia e mercenarëve të harrohet.

Kremlini ka anashkaluar raportet për shumë të vrarë, nuk ka identifikuar asnjë prej viktimave dhe nuk thotë pse ata ishin në Siri. Autoritetet ruse kanë pranuar me gjysmë zëri rreth 5 viktima, aktivistët dhe dëshmitë e të plagosurve që tashmë gjenden në spitale, flasim për mbi 30 rusë të vrarë.

Natën e 7 shkurtit, një forcë prej 500 vetësh, kryesisht rusë dhe një milici besnike e Presidentit Bashar al Assad përparuan drejt një fushë naftë e gaznxjerrëse dhe sulmuan milicitë kurde e arabe, aleatë të SHBA, që e kontrollojnë.

Ofensiva e tyre u ndal nga një bombardim prej 3 orësh i aviacionit dhe artilerisë amerikane. Forcat amerikane thanë se vranë me dhjetëra luftëtarë të Assad, pa e ditur se mes tyre kishte rusë dhe kur kjo u mor vesh Kremlini heshti.

Por, familjarët e viktimave dhe të plagosurit nga spitalet flasin për një masakër të vërtetë. Kompani e sigurisë Wagner që ka punësuar rusët, ashtu si Kremlini heshti, duke këmbëngulur në qëndrimin se përfshirja ruse në Siri është kryesisht ajrore me shumë pak njerëz në tokë.

Top Channel