“Duhet të kuptoj pse u dënuan Batha dhe Trashi”

18/02/2018 10:28

Partizanin e pret një sfidë shumë e vështirë ditën e hënë në Kategorinë Superiore, ajo me Kukësin në Tiranë.

Për të kuqtë nuk do të jenë në dispozicion Idi Batha dhe Lorenc Trashi, të cilët u dënuan me dy ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së për fyerje të zyrtarëve të ndeshjes së Kupës me Flamurtarin, një vendim që nuk u prit aspak mirë nga klubi kryeqytetas.

Olsi Rama, drejtor i Partizanit, u shpreh: “Duhet të kuptoj arsyet e këtij dënimi që jepet dy ditë përpara ndeshjes. Na kanë thënë që ka të bëjë me një episod pas ndeshjes, ndërkohë që ka pasur plot episode gjatë ndeshjeve që kemi zhvilluar ku është treguar njëanshmëri në disfavor të Partizanit. Unë kam marrë njoftime se gjyqtari anësor ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme Trashin dhe Bathën”.

Por, Partizani, për ndeshjen me Kukësin do të vuajë edhe mungesën e Prognit për shkak kartonash dhe Telushit për dëmtim në gju. Olsi Rama theksoi se është i bindur se skuadra e tij është e përgatitur të jetë kompetitive me ata lojtarë që ka dhe se Partizani do të jetë ai që është parë në ndeshjet e fundit të kampionatit.

Top Channel