Shkollat e reja në Tiranë, arkitekti italian shpjegon projektin

17/02/2018 15:30

17 shkollat e reja që do të ndërtohen në Tiranë nuk do të jenë si këto ekzistuese.

Ato do të qëndrojnë hapur gjatë gjithë ditës dhe nuk do të shërbejnë vetëm për nxënësit. Projektet e tyre janë bërë nga arkitekti i njohur italian Stefano Boeri, i cili ka parashikuar godinë me hapësira të bollshme, laboratorë të mirëpajisur si dhe terrene sportive që ngjajnë më tepër me epiqendra kulturore.

“Ne jemi frymëzuar me idenë e një shkolle të hapur, që natyrisht ka një hapësirë të mbrojtur, të sigurt për fëmijët, por që pasdite do të hapen për të gjithë lagjen,për të rinj që duan muzikë, kulturë, për ata që kthehen nga puna duan të studiojnë, për pensionistët që duan të takohen. Ndërsa në darkë mund të zhvillohen koncerte, spektakle të ndryshme”, thotë arkitekti Stefano Boeri.

Boeri e vlerëson njëlloj si të mbjellësh dhe të ndërtosh shkolla dhe këtë e ka kuptuar me se miri kryetari i bashkisë Veliaj thekson ai.
“Ai e ka kuptuar shumë mirë se të ndërtosh shkollë dhe të mendosh për pemët është e njëjta gjë. do të thotë të mbjellësh të ardhmen”, vijon Boeri.

Arkitekti italian thotë se ka bërë projekte për shkolla të hapura edhe në vende të tjera por Tirana është avangardë në ndërtimin e shkollave publike të hapura në të gjitha orët e ditës për të gjitha moshat. Ndërkohë që ndërtimi i shkollave të reja në kryeqytet do të zhdukë mësimin me turne si dhe numrin e madh të nxënësve nëpër klasa.

Top Channel