Për 2018 do të ketë mbështetje nga qeveria deri në 150 milionë lekë për hektar për serrat bashkëkohore.

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi ishte në Durrës ku është ndalur në një serrë organike, ndërtuar me një teknologji bashkëkohore.

Sipas skemës së mbështetjes zëri për instalimin e sistemit të ngrohjes me biomasë (pelet) në serrat me ngrohje, përfiton deri në 280 000 lekë për dynym. Financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha; ndërsa për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese, masa e përfitimit do të jetë, jo më shumë se 750 000 lekë/ha. Financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha.

“Financimet nga IPARD-i dhe nga skema kombëtare shkojnë deri në 50 % grant, fondi i garancisë i qeverisë shqiptare dhe BERZH-it, pjesën tjetër ta siguron me kredi të buta, pra rikthyeshmëria është më e ulët. Ne kemi garantuar riskun në një pjesë të mirë të investimit, ndaj dhe kreditë dhe tregu bankar do të bëhen gjithmonë e më interesante për investitorin”, ka thënë Peleshi.

Për qeverinë shqiptare, skemat e reja të mbështetjes financiare janë një paketë mundësish të reja për fuqizimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Vitin e kaluar, ne e kemi mbyllur pra vitin 2017, me një rritje prej 20 % të eksporteve bujqësore, krahasuar me vitin 2016. Shkaku, arsyet kryesore ishin pikat e grumbullimit dhe shtimi i sipërfaqeve të serrave. Për këtë arsye, pothuajse një e treta e gjithë skemës kombëtare, prej 20 milionë euro të këtij viti, do të shkojë në investimet për serrat. Ne japim grant deri në 50 % të vlerës të investimit, që e kthyer në terma nominalë do të thotë deri në 150 milionë lekë të vjetra për një hektar serrë.” Është shprehur Ministri.

Aktualisht serra është e mbjellë me kulturat si: domate, kastraveca, speca dhe bostan, kultura të cilat janë përfituese të masave të Skemës së Mbështetjes Financiare.

Top Channel