Nga 17 shkurti fillon programi “Dua të të bëj të lumtur”. Premiera rezervon surpriza të mëdha në ekran dhe protagonistët e parë tashmë janë zbuluar. Me pjesëmarrjen e aktorit të madh Robert Ndrenika, Rikard Ljarjas e Lorik Canës.

Programi që ka në qendër njerëzit. Që sjell historitë e tyre e jep mesazhet e tyre të zemrës, vjen këtë të shtunë në ekranin e Top Channel në orën 20:50.

“Janë historitë e secilit prej nesh. Është jeta jonë e përditshme. Është një program, i cili nuk ofron ëndrrën, ofron realitetin. Janë njerëzit e vërtetë. Janë emocionet e vërteta. Pastaj janë edhe ata, të cilët ne i shohim nëpërmjet ekranit, por vetëm në një program si ky e kupton që në vend të artistëve janë njerëz me zemër shumë të madhe. Janë personazhe të njohur si Robert Ndrenika, Rikard Ljarja apo Lorik Cana, që në këtë rast i kemi sonte dhe të tjerë shumë shumë të dashur, që do t’i kemi në javët në vijim”, tregon Arbana Osmani.

Gjithçka do të ndodhë në studion e “Dua të të bej të lumtur”. Duke bërë që gjithçka të jetë sa më e vërtetë. Megjithë vërtetësinë e asaj që protagonistët japin për të bërë të lumtur njerëzit që duan.

“Neve na kanë kontaktuar shumë njerëz gjatë gjithë këtyre muajve, të cilët na kanë rrëfyer historitë e tyre, megjithatë, këtë vit mekanizmi ndryshon paksa. Kemi dashur që njerëzit të komunikojnë me njëri tjetrin pikërisht aty, në program. Dhe do të jetë momenti kur ato do të japin mesazhe pendese, mesazhe falenderimi, mesazhe mirënjohje, mesazhe dashurie njeri tjetrit. Pikërisht tek studio e “Dua të të bëj të lumtur”, shprehet Arbana.

Nga sonte në Top Channel, “Dua të të bëj të lumtur”, mirëpret këdo që ka historinë e vet për të ndarë e dëshiron të japë mesazhe lumturie.

“Do të jemi në transmetim, deri në fund të muajit maj, kështu që do të kemi shumë histori, po presim ende të tjera, kështu që në rast së dëshironi të bëheni protagonist, ne jemi të hapur. Mirëpresim këdo që do të vijë”, thotë Arbana.

Top Channel