Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosovën e njohin 116 shtete, përfshirë SHBA dhe 23 shtete të Bashkimit Europian, me Barbadosin që është i fundit që iu shtua listës pak ditë më parë.

Rusia dhe Spanja janë mes shteteve që refuzojnë ta njohin pavarësinë, pasi konsiderojnë se ky veprim mund të nxisë rajonet e tyre separatistë të kërkojnë të njëjtën gjë.

Një vit pas shpallje së pavarësisë, Kosova u anëtarësua në FMN dhe Bankën Botërore ndërsa në 2010-tën Gjykata më e lartë e OKB-së i jep mbështetjen formale shtetësisë së vendit, duke thënë se është në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Por Serbia vazhdon t’ia mohojë sovranitetin, dhe vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pengon Kosovën që të bëhet shtet anëtar i OKB-së.

Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare, Kosova përmbylli mbikqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, nisi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ende nuk ka përfunduar, themeloi Gjykatën Speciale për Krime Lufte dhe po vazhdon përpjekjet për t’u përfshirë në strukturat evropiane, ndonëse qytetarët e saj akoma nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

E ndërsa procesi paqësor i shpalljes së pavarësisë 10 vite më parë pas konflikteve dhjetëra vjeçare cilësohet si një moment historik, euforia e atëhershme është zbehur.

Për këtë ka kontribuar frenimi i ekonomisë, papunësia e lartë, korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e perspektivës tek të rinjtë. Pasojat janë fatale, me largime masive të njerezve drejt perëndimit. Analistja e Doice Veles Vilma Filaj-Ballvora mendon se qëllimi i Kosovës për të qenë pjese e BE do të mbetet veçse një ëndërr nëse nuk do të ketë reforma ekonomike e politike.

Për kёtё , sipas saj, nevojiten nga njёra anё koncepte qё ofrojnё zgjidhje dhe nga ana tjetёr njё elite drejtuese aktive. Kosova nuk mund t´i largohen pёrgjegjёsisё. Por edhe serbët duhet tё bashkёpunojnё dhe tё lёnё inatet e vjetra.

Nga Europa, vijon analistja, pritet t’i vendosë kushte të qarta Prishtinës dhe Beogradit e njëkohësisht të japë më shumë stimuj.

Top Channel