Në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv informativ, N1, Presidenti i Kosovës përjashtoi mundësinë se pas vrasjes së Oliver Ivanoviç në Mitrovicë qëndrojnë motivet etnike.

“Hetimet vazhdojnë dhe deri më tani nuk ka asnjë indicie që të na adresonte tek motivet etnike. Provat e para flasin se pas vrasjes qëndrojnë motive kriminale, mafioze”, deklaroi Presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti kosovar shprehet gjithashtu se po punohet me palën serbe për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

“Jemi duke bashkëpunuar me autoritetet serbe dhe e vërteta do të dalë në shesh, pavarësisht se dikujt mund të mos e pëlqejë”, shtoi ai.

Thaçi nuk jep më shumë detaje rreth hetimeve.

“Po hetojnë strukturat përkatëse, të cilat do të dalin me rezultate konkrete besoj së shpejti. Nuk përjashtohet që pas vrasjes të qëndrojnë grupe kriminale të lidhura me qarqe të ndryshme politike”, u shpreh Presidenti.

Intervista e plotë e Hashim Thaçit për N1 do të transmetohet ditën e shtunë. Oliver Ivanoviç u ekzekutua më 16 janar para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Top Channel