Spalletti: Karamoh sjell entuziazëm, dua edhe një skuadër virtuale

16/02/2018 23:31

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti ka treguar mbi gjendjen e skuadrës dhe lojtarëve të caktuar, në prag të sfidës me Genoan, por nuk ka preferuar të zbulojë shumë rreth formacionit.

Nuk ka munguar as ironia e Spallettit, kur është pyetur mbi emrat e përfolur për t’iu bashkuar Interit, në merkaton e verës.

Çfarë sfide prisni me Genoan?
Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur dhe një stadiumi plot entuziazëm. Gjithsesi, ne e kemi përgatitur mjaft mirë këtë sfidë dhe do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.

A do të luajnë titullarë Rafinha dhe Karamoh?
Të shohim, por Rafinha nuk i ka ende 90 minuta në këmbët e tij. Edhe këtë javë nuk i ka kryer të gjitha seancat me skuadrën dhe do të jetë plotësisht gati, vetëm kur të stërvitet rregullisht për të paktën 2-3 javë. Nëse e aktivizoj nga fillimi, mund të ketë diçka më pak fizikisht, sesa kur futet në 30 minutat e fundit, ku shfrytëzon freskinë. Edhe Karamoh është një lojtar i ri dhe të gjithë ia njohim aftësitë. Gjithsesi nuk ka eksperiencën e duhur për të marrë shumë përgjegjësi mbi supe, ndaj të mos e ngarkojmë shumë. Ka disa etapa rritjeje, mbi të cilat duhet të kalojë edhe Yann, ndaj le t’i respektojmë ato.

A jeni sqaruar tashmë me Brozoviçin?
E kemi diskutuar incidentin e tij menjëherë të hënën dhe vetë lojtari e shprehu pendesën e tij për gjestin e bërë. Këtë e tregoi edhe me mesazhin në ditën e Shën Valentinit. Nesër do ta nisë nga stoli, por nëse më duhet ta hedh në fushë, jam i sigurt që do të japë më të mirën, ashtu siç bën gjithmonë.

Do të ndiqni Racingun sonte, për të parë Lautaro Martinez, një futbollist që pritet t’ju bashkohet në verë?
Më vjen keq që duhet të flasim për merkaton e verës, që tani, kur ka edhe shumë kohë në dispozicion. Do t’i kërkoj presidentit që të krijojmë edhe një skuadër virtuale, ku të aktivizohen të gjithë lojtarët që na sillni ju të medias nga merkato. Unë gjykoj dhe punoj me lojtarët që kam, pasi me këta do të synoj arritjen e objektivave. Merkatoja dhe sezoni i ardhshëm, janë një histori krejt tjetër.

Top Channel