Pretenca për Skënderbeun; UEFA: Rastet e dyshuara për trukim. U implikua edhe politika

16/02/2018 20:20

Pretenca e inspektorëve të UEFA-s analizon rastet e dyshuara për trukim ndeshjesh, duke treguar edhe interesimin që politika nga të dy krahët ka treguar ndër vite për ekipin e Skënderbeut. Por pretenca e inspektorëve nuk është një vendim, vendimi përfundimtar mund të merret nga Gjykata e arbitrazhit sportiv në Lozanë nëse ekipi korçar vendos të ankimojë. Sot UEFA ka nxjerrë një njoftim sipas të cilit inspektorët e saj janë kërcënuar.

Pretenca e inspektorëve të disiplinës së UEFA përmban një analizë të hollësishme të një sërë faktesh sipas tyre duke i lidhur me skuadrën e Skënderbeu dhe me disa ndeshje të konsideruara nga sistemi i monitorimit të basteve DFBS si të paracaktuara.

Ky raport prej 93 faqesh veç të tjerave përmend edhe një historik të shkurtër të riformatimit të skuadrës kampione nga sezoni 2009/2010 që rrezikoi rënien nga kategoria deri tek vitet e lavdishme.

Mes dyshimeve dhe njerëzve të përfshirë në këtë rrugë të suksesshme të 7-të herë kampionëve të Shqipërisë, në këtë pretencë gjendet një kapitull për ish-ministrin e financave Ridvan Bode.

Sipas saj, inspektorët e UEFA-s, e perfshijne Ridvan Boden por edhe ish-kryetarin e bashkisë Niko Peleshi, si pjesë e një bordi prej 16 vetësh që drejtonte skuadrën korçare. Për ish-ministrin e financave, veç përfshirjes së tij në klub ka edhe një sërë referencash jashtë rolit të tij te ekipi i Skënderbeut , që rimerr akuzat politike të bëra ndër vite nga opozita e dikurshme, që nga dyshimet për privatizimit e Lotarisë Kombëtare e te akuzat për pastrim parash.

Gjithashtu në pikën 194 të raportit emri i Ridvan Bodes përmendet nga ish-trajneri i Dinamos Luis Manuel Blanco, sipas të cilit, Bode ka komunikuar me të duke i thënë: “‘Nëse na prish fundjavën do të të shkatërrojmë ty’. Ai më tha në pushimin e ndeshjes se skuadra ime duhet të humbiste, ishte e tmerrshme”.

Por raporti nuk citon në asnjë moment që inspektorët e UEFA-s të kenë marrë kontakt me zotin Bode për këto akuza. Po sipas sistemit BFDS 3 ndeshje të Skënderbeut me Dinamon një në vitin 2010 dhe dy në vitin 2011, janë të dyshuara si të trukuara.

Ndërkohë emri i ish-ministrit Bode lidhet në raport edhe me marrëdhëniet e tij me ish-deputetin e Partisë Demokratike Dashnor Sula, në atë kohë president edhe i klubit të Shkumbinit. Të dyja ndeshjet e vitit 2010 dhe 2012 mes Skënderbeut dhe Shkumbinit që janë fituar nga skuadra korçare sipas DFBS-s, konsiderohen si të dyshuara.

Mes të tjerave në raport është përfshirë edhe akuza që deputeti socialist Erjon Brace ka akuzuar në parlament një deputet, duke nënkuptuar Ridvan Boden për vënie bastesh apo menaxhim ndeshjesh. Në përfundim të këtij kapitulli inspektorët e UEFA-s e konsiderojnë ish-ministrin Bode si një njeri me influencë dhe me pushtet që ka ndikuar në ndeshje të Skënderbeut të cilat sipas DFBS janë konsideruar si të dyshuara për trukim.

Duke përmendur edhe Niko Peleshin si një ish-anëtar të bordit, por inspektorët tregojnë se në një mënyrë ose tjetër te Skënderbeu kanë qenë të përfshirë politikanë nga të dy krahët e politikës shqiptare. Por nëse ata shprehen të habitur se si njerëz të tillë me influencë dhe me statuse publikë ndikojnë në rezultate ndeshjesh, me sa duket nuk kanë parë gjë akoma.

Pasi sukseset e Skënderbeut nuk munguan as në seancën parlamentare të së enjtes. “Edhe Berisha do të vijë ndonjë ditë në ndeshje, e do të thotë: Kush janë këta me të kuqe, kush e bëri golin. Edhe në fund… Gjithmonë do fitojë Skënderbeu”, tha Rama në Kuvend.

Gjithsesi bëhet fjalë për një pretencë dhe jo për një vendim përfundimtar.

Top Channel