Pallatet e pashitura në Tiranë, Bashkia: Janë më pak. Specialistët: Ka rigjallërim të tregut

16/02/2018 20:02

Bashkia e Tiranës thotë se ndërtimet e reja në kryeqytet janë të nevojshme për të plotësuar nevojat për strehim.

Sipas nënkryetarit Arbjan Mazniku, për shkak të shtesës së popullsisë, Tirana ka nevojë mesatarisht për 550 mijë metra katrorë sipërfaqe të re ndërtimi në vit.

“Në mënyrë të qëndrueshme, Tirana rritet me 22 deri në 30 mijë vetë në vit dhe ne nuk mund ta pengojmë këtë trend demografik”, shprehet Mazniku.

Por a rrezikon Tirana një flluskë në ndërtim, ku mijëra apartamente të mbeten të pashitura?

“Në mënyrë të qëndrueshme ky stok ka ardhur në rënie”, shprehet nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku.

Ylli Sula, një biznesmen i cili menaxhon një bazë të gjerë informacioni në sektorin e pasurive të patundshme, vlerëson se vitet e fundit tregu i pasurive te paluajtshme është rigjallëruar

“Mjafton të shihni numrin e agjencive imobiliare që janë rritur ndjeshëm dhe përderisa është rritur numri I agjencive do të thotë se në treg ka aktivitet të shtuar”, thotë Ylli Sula.

Megjithatë disa nga agjencitë e pasurive të patundshme janë më skeptike. Sipas tyre kërkesa vazhdon të jetë e ndrydhur.

“Kërkesa është përgjithësisht për apartamentet e vogla”, shprehet Danela Duka.

Në kryeqytet janë parashikuar të ndërtohen disa kulla, që do të shtojnë ndjeshëm ofertën për apartamente dhe hapësira shërbimesh.

Top Channel