Ndërhyrja në zgjedhje, FBI akuzon 13 shtetas rusë

16/02/2018 22:56

13 shtetas rusë akuzohen për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, në atë që konsiderohet një zhvillim tepër i rëndësishëm në hetimet e FBI-së lidhur me çështjen.

Të inkriminuara gjithashtu edhe 3 kompani ruse, mes të cilave agjencia e kërkimeve në internet me bazë në Shën Peterburg, që siç thuhet, ka pasur qëllimin strategjik për të nxitur mosmarrëveshje në sistemin politik amerikan, përfshirë zgjedhjet presidenciale. Sipas jurisë së madhe federale që po heton çështjen, 13 shtetasit kanë kryer operacione në internet me qëllimin për të ndikuar në proces, në emër të Moskës.

“Qëllimi ishte nxitja e mosmarrëveshjeve në Shtetet e Bashkuara për të minuar besimin e publikut në demokraci. Nuk duhet t’i lejojmë ata të kenë sukses”, tha Zv.Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein.

Në padi thuhet se personat e akuzuar ishin angazhuar kryesisht për të përcjellë informacione poshtëruese për kandidaten demokrate për presidencën, Hillary Clinton, e për të denigruar kandidatë të tjerë si Ted Cruz dhe Marco Rubio dhe për të mbështetur Bernie Sanders dhe Donald Trump.

Nuk ka vonuar reagimi i Rusisë, e cila përmes zëdhënëses së ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova tha se ishte absurde që 13 vetë të kishin vepruar kundër shërbimeve miliarda dollarëshe të sigurisë amerikane.

Mes personave të akuzuar është Yevgeny Prigozhin, i njohur si bashkëpunëtor i ngushte i Putinit. Ai i mohoi pretendimet për ndërhyrje në zgjedhje. “Amerikanët janë njerëz të çuditshëm, shohin atë që duan të shohin”, ishte komenti i tij për agjencinë “Ria novosti”. Prigozhin ka qenë mik i Putinit që prej viteve 90-të..

Top Channel