Edhe pse strategjia e zgjerimit e shpërblente bollshëm, zyrtarët e lartë europianë nuk kanë lënë rast pa i treguar Serbisë se nuk do të pranojnë në gjirin e bllokut një shtet me probleme territoriale, ndaj duhet ta zgjidhë ngërçin me Kosovën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e tha hapur në Prishtinë se Beogradi duhet ta pranojë Pavarësinë e Kosovës, nëse kërkon afrimin me bllokun.

Por, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin deklaron se kjo nuk ka për të ndodhur. Duke komentuar pohimet e kryediplomatit të Berlinit, ai u shpreh se, sa herë Gjermania ka folur pa marrëveshje dhe pa ujdi në emër të të gjithë Europës, gjërat janë nisur për keq dhe e gjithë bota ka vuajtur.

“Deklarata e Gabrielit konfirmon edhe njëherë se në Europë pakkush, e ndoshta askush interesohet sesa është vërtet Serbia e suksesshme dhe një shoqëri demokratike. Sikur anëtarësimi në Europë të matej në bazë të sundimit të ligjit ose lirisë së medieve, Serbia do të ishte bërë me kohë pjesë e tij. Por me sa duket, Brukselit i intereson vetëm një gjë: ta njohim Kosovën dhe asgjë tjetër. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, e sidomos nuk do ta njohë që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, tha prerazi Vulin.

Qëndrimin e Gabrielit, ndërkohë e përforcoi edhe Michael Roth, Sekretar shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, i cili tha se qeveria gjermane është pro gjetjes së një zgjidhjeje, por kundërshton lëvizjen e kufijve Kosovë-Serbi.

Mediet serbe thonë ndërkohë se presidenti Vuçiç ka shprehur besimin se dialogu teknik Prishtinë-Beograd do të rinisë së shpejti dhe se, brenda 10 ditësh pret në Serbi vizitën e kryetarit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, me të cilin do të bisedojë për Kosovën.

Top Channel