Moti i keq/ Në veri e juglindje, probleme në rrugë. Përmbytje në Vlorë

14/02/2018 00:22
Foto ilustruese

Përkeqësimi i motit pasditen e së martës shkaktoi probleme pothuajse në të gjithë vendin, me reshje shiu, breshër dhe dëborë.

Probleme të shumta u shfaqën në aksin Qafë Thanë-Qafë Plloçë. Dëbora ka kaluar mbi 30 cm trashësi, çka ka bërë që situata për qarkullimin e automjeteve të vështirësohet së tepërmi. Lëvizja e automjeteve në këtë segment mund të bëhet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi. 5 mjete borëpastruese janë duke punuar në terren, për të mbajtur nën kontroll situatën, por pavarësisht kësaj, problemet vazhdojnë të jenë prezente si pasojë e borës që bie dhe erës që e shpërndan mbi aksin nacional.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se për aksin Elbasan–Korçë, pavarësisht masave të marra, është shumë e rëndësishme që drejtuesit të tregohen të kujdesshëm duke reduktuar shpejtësinë, të jenë të pajisur me zinxhirë dhe të rrisin përqendrimin gjatë drejtimit të mjetit.

Intensiteti i reshjeve të borës ka qenë i lartë edhe në segmentin që të çon drejt pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku situata paraqitet e njëjtë sa i takon vështirësisë së lëvizjes dhe kujdesit që duhet treguar nga drejtuesit e mjeteve. Edhe segmenti Korçë-Dardhë vazhdon të jetë i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në orët e vona të së martës, në qytetin e Pogradecit banorët denoncuan në ‘Ti raporton’ se rrugët nuk po pastrohen. Disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në zonën e Devollit dhe në rrethin e Pogradecit. Në Stërblevë të Librazhdit, bora arrin 70 cm, ndërsa në fshatin Jagodinë të Elbasanit, u përmbytën 30 ha tokë bujqësore nga përroi i Llixhës.

Në Shkodër u bllokua aksi Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Disa akse në veri dhe verilindje janë të kalueshme me zinxhirë. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash është 20 cm, por rruga është e kalueshme dhe borë-pastrueset janë në punë.

Në Dibër, aksi nacional Qafë Bualli-Martanesh dhe Ura e Qytetit-Zerqan, u bllokuan gjatë pasdites. Në pikën doganore të Trebishtit pati një bllokim të përkohshëm të aksit rrugor.

Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës, në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë. Në zonën Dukat-Orikum të gjitha familjet të cilat kanë banesat afër lumit të Izvorit, janë paralajmëruar të marrin masat për largimin e bagëtive dhe largimin nga banesat, pasi reshjet do të vazhdojnë.

Top Channel