Kupa e Shqipërisë do të zhvillohet nën kushte të rënda klimatike

14/02/2018 11:36

Sot zhvillohen ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Problem kryesor për këto ndeshje, me sa duket po bëhen kushtet klimatike.

Stadiumi i Kukësit, “Zeqir Ymeri” ka qenë i mbuluar me borë mëngjesin e sotëm.

Makinat borëpastruese janë futur në fushën e këtij stadiumi për të larguar borën, por duke përfituar edhe nga fakti që kjo fushë është me bar sintetik, atëherë një makinë e këtij tonazhi nuk e dëmton aq shumë sa ç’mund të ndodhte në një fushë me bar artificial.

Gjithçka duket do të jetë gati për orën 14:00, kur do të fillojë ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës.

Ndërkohë në Korçë, ndeshja mes Skënderbeut dhe Teutës ka ndryshuar orarin, nga ora 17:00 që ishte parashikuar, në orën 14:00, sërish për shkak të temperaturave shumë të ulëta.

Probleme me reshjet e shiut ka pasur edhe në Gjirokastër, ku Luftëtari do të presë skuadrën e Laçit. Ndeshja e mbrëmjes do të jetë ajo që do të zhvillohet në kryeqytet, në orën 17:00, mes Partizanit dhe Flamurtarit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel