Dëbora bllokon rrugët në veri dhe zonat e larta. Akset nacionale, të hapura

14/02/2018 11:28
Foto Arkiv

Reshjet e shiut dhe dëborës kanë vijuar gjatë natës në të gjithë territorin e vendit. Sasia më e madhe e reshjeve të shiut ishte në Korçë, me 35 mm dhe Vlorë, 33.

Por, dëbora po shkakton problemet më të mëdha. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, mbeten të bllokuara akset Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Në Qarkun e Kukësit, skset rrugore nacionale kanë borë, por edhe gurë e dhera që janë rrëzuar prej skarpateve. Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht. Aksi rrugor Kolsh-Qafë Shllak është i kalueshëm me zinxhirë. Ndërsa të bllokuara janë akset që lidhin fshatin Lojme dhe Arrën me Kukësin.

Në Dibër, rrugët Qafë Bualli-Martanesh dhe Klenjë-Trebisht-Ostren janë të bllokuara, ndërsa në aksin Ura e Çerenecit-Steblevë kalohet me vështirësi.

Në Qarkun e Elbasanit, aksi rrugor Librazhd-Steblevë, segmenti Fushë Studen-Steblevë është i bllokuar nga dëbora me trashësi rreth 50 cm.

Është normalizuar situata në të gjitha akset rrugore të Qarkut të Korçës, përfshi edhe Qafë-Thanën. Është dashur ndërhyrja e 6 borëpastrueseve për të mbajtur nën kontroll aksin e Qafë-Thanës, nga Lini deri në Prrenjas.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata sinoptike e parashikuar për ditët në vijim tregon se rajoni i Ballkanit do të ndodhet nën ndikimin e një fushe me presion atmosferik të ulët. Dhe pavarësisht se reshjet do të pakësohen, do të ekzistojë sërish rreziku nga ngricat përgjatë akseve rrugore.

Top Channel