Akuzat për korrupsion, kryeministri izraelit: Jam i pafajshëm

14/02/2018 09:36

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk i pranon akuzat për ryshfet, duke i cilësuar si krejtësisht të pabaza, e thotë se nuk ka ndërmend ta lëshojë postin.

“Jam i bindur – u shpreh ai, – se e vërteta do të dalë në dritë”.

“Do të vazhdoj të drejtoj Izraelin me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me besnikëri, përderisa ju qytetarë të Izraelit më keni zgjedhur këtu ku jam. Jam i bindur në zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen në afatin e parashikuar, se me ndihmën e Zotit unë do ta fitoj përsëri besimin tuaj”, tha në një deklaratë për mediat Netanyahu.

Deklarata e kreut të ekzekutivit izraelit erdhi pas njoftimeve të policisë se ai duhet paditur për korrupsion. 68-vjeçari është në mandatin e dytë si kryetar qeverie, ndërsa majat e pushtetit i shijon prej 12 vitesh.

Zyrës së kryeprokurorit mund t’i duhen muaj të tërë para se të vendosë, nëse ai duhet të përballet apo jo me këto akuza. Ndërsa Netanyahu vet thotë se, ai është mësuar tashmë me gjëra të tilla.

“Në rrjedhën e viteve kam qenë subjekt i të paktën 15 hetimeve dhe verifikimeve, – u shpreh ai, – e të gjitha këto përpjekje rezultuan një hiç”.

Njëri prej rasteve që tërhoqi vëmendjen e policisë përqëndrohet tek akuzat se Netanyahu i ka kërkuar botuesit të gazetës vendase, “Yediot Aharonot”, një mbulim pozitiv në këmbim të ndihmës për frenimin e një botuesi rival.

Të tjera pretendime lidhen me dhurata prej qindra-mijëra dollarësh, që thuhet të ketë marrë nga njerëz të pasur.

Top Channel