Ukraina, një prej shteteve më të varfra të Europës, po kthehet në vendin ku shkojnë njerëzit që duan të kenë një fëmijë përmes një nëne bartëse.

Shuma e majme e ofruar për raste të tilla josh mjaft gra e vajza të reja, por frika e shfrytëzimit mbetet gjithmonë e pranishme.

Ana është një prej tyre. Ajo foli për BBC-në, me kushtin që të mos identifikohej plotësisht. Vajza rrëfen se, kur dëgjoi për herë të parë për një mundësi të tillë, sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe do të punonte si kamariere në një hotel të frekuentuar nga turistët në qytetin e saj, në perëndim të Ukrainës.

Kjo punë do t’i sillte 200 dollarë në muaj, ndërsa mbajtja e fëmijës së dikujt tjetër plot 20 mijë. Diferenca është e ndjeshme. Familja e Anës nuk ishte e varfër, sipas standardeve lokale, por ajo donte diçka më shumë që të përballonte gjëra të shtrenjta, si shtëpi apo makinë.

Hapin e madh vendosi ta hedhë kur ishte 21 vjeç, kishte punuar disa vite në hotel e kishte edhe një vajzë të sajën. Sipas ligjit ukrainas, një nënë zëvendësuese duhet të ketë një fëmijë të sajin, përpara se të mbajë në bark atë të dikujt tjetër, kështu ka më pak gjasa të lidhet së tepërmi pas foshnjes, që sapo të lindë duhet ta dorëzojë.

Nevoja për parà është ajo që shtyn gratë e reja atje t’i hyjnë një sakrifice të tillë. Dy vite më parë, një prej tyre, Ania rrëfente anën e errët të të qenit një nënë zëvendësuese.

“E mendova shumë gjatë, por kisha nevojë për mbështetje financiare. Gjëja më e vështirë ishte se për një vit nuk duhej të shikoja të afërmit apo miqtë. Për të mos thënë pastaj që një pjesë e njerëzve të mi më shikojnë sikur të mos jem normale, e më duhet të fshihem nga të gjithë”, thoshte ajo në janar të vitit 2015.

Çiftet e huaja kanë vërshuar në këtë cep të Europës që prej vitit 2015 – thotë BBC, – kur zonat e njohura në Azi për nënat bartëse nisën t’i mbyllnin këto të ashtuquajtura “industri” të tyre, në mesin e raporteve për shfrytëzim.

Pas ndalimit që iu bë edhe në Indi, Nepal e Tajlandë, vëmendja u kthye tek Ukraina, një nga të paktat shtete ku fenomeni gjallon ende.

Top Channel