Tiranë, shpërndanin drogë pranë shkollave; arrestohen 3 persona

13/02/2018 09:22

Policia e Tiranës ka goditur një grup që shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Blutë e kryeqytetit kanë arrestuar 3 shtetas dhe kanë sekuestruar 68 doza kanabis. Në pranga kanë rënë 32-vjeçari Isuf Haka, 19-vjeçari Jurdjan Kondili dhe 26-vjeçari Armando Durishti, të tre banues në Tiranë.

Sipas policisë, shtetasit Jurdjan Kondili dhe Isuf Haka, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së vazhdueshme të kanabisit pranë shkollave 9- vjeçare dhe të mesme, duke përdorur banesën e shtetasit Armando Durishti.

Shtetasit e mësipërm janë kapur në flagrancë në rrugën “Frederik Shiroka”, në afërsi të një shkolle, ku gjatë kontrollit fizik shtetasit Isuf Haka iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 10 dozash kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Armando Durishti në rrugën “Frederik Shiroka”, në afërsi të një shkolle, iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 58 dozash kanabis.

Top Channel