Referendum lokal për Teatrin, Avokati i Popullit, këshilla ligjore artistëve

13/02/2018 19:49

Ndërsa vijon debati mes trupës së artistëve dhe ministres Kumbaro për Teatrin Kombëtar, një përfaqësi e artistëve u takua me Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, e cila u tha artistëve se beteja e tyre është e vështirë dhe duhet çuar deri në kërkesën për një referendum lokal.

Sipas Avokates së popullit, Teatri, përpara se të jetë i artistëve, është i qytetarëve.

Në fund të këtij takimi artistët thanë se kërkojnë transparencë për projektin e Teatrit kombëtar dhe se takimin me ministren do ta bëjnë në shtëpinë e tyre.

“Ministria e Kulturës duhet të deklarojë se çfarë o ndodh prej katër vjetësh me Teatrin Kombëtar. Kur do të financohet dhe kur do të realizohet”, u shpreh Kastriot Cipi, regjisor.

“Ministren e Kulturës e presim nesër në sallën e Teatrit Kombëtar në orën 4. Ja kemi bërë me dije. Të gjithë do të jemi aty. Sigurisht do të jetë përfaqësia që do të bëjë dialog me ministren në prezencë të komunitetit të artistëve dhe të mediave”, tha regjisori Altin Basha.

Por nëse ministria e kulturës thotë se nuk ka ende një projekt për Teatrin Kombëtar, artistët shprehen të bindur se nuk ka vullnet politik për ndërtimin e Teatrit.

Top Channel