Pakti me Kinën, shumë katolikë dalin kundër Vatikanit

13/02/2018 11:50
Kardinali i Hong Kongut, John Tong

Kisha Katolike rrezikon që të dëmtojë autoritetin e saj moral dhe të shkaktojë kaos mes ndjekësve të saj, nëse Vatikani miraton një marrëveshje thuajse finale me qeverinë kineze.

Paralajmërimi vjen nga një grup katolikësh të rëndësishëm, shumica prej të cilëve nga Hong Kongu, të cilët iu shkruan një letër të hapur të gjithë peshkopëve të botës, ku shprehin tronditjen e tyre se Vatikani mund të njohë 7 peshkopë të emëruar nga Partia Komuniste kineze.

Në letrën e shkruar nga avokatë, akademikë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut thuhet se, marrëveshja, jo vetëm që nuk garanton liritë e kufizuara që Vatikani shpreson të arrijë në Kinë, por gjithashtu do të dëmtojë rëndë fuqinë morale të Kishës.

Marrëveshja që po diskutohet mes Kinës dhe Vatikanit ka si qëllim që të rivendosë marrëdhëniet mes palëve, që u ndërprenë 70 vite më parë. Por shumë katolikë me emër e kanë kundërshuar atë.

Një prej tyre, kardinali Joseph Zen tha se Vatikani po shet Kishën Katolike në Kinë. Vlerësohet se në Kinë jetojnë 10 deri në 12 milionë katolikë kinezë, e gjysma e tyre ndjek besimin në kisha klandestine, ndërsa gjysma tjetër në kisha që menaxhohen nga qeveria.

Qeveria kineze ka emëruar 7 peshkopë, që aktualisht nuk njihen nga Vatikani, ndërsa rreth 40 peshkopë që mbështeten nga Roma punojnë pa miratimin kinez. Muajin e shkuar, Vatikani u kërkoi dy prej peshkopëve klandestinë që të largohen nga detyra e tyre dhe t’i hapin vendin holomogëve të caktuar nga qeveria kineze, një prej të cilëve i çkishëruar nga Vatikani në vitin 2011.

Vitin e shkuar, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi në Kongresin e Partisë Komuniste se fetë në Kinë duhet të kenë orientim kinez dhe se qeveria duhet të udhëheqë fetë që t’i përshtaten shoqërisë socialiste.

Mediet raportojnë se autoritetet kanë zhvilluar operacione ndaj kishave evangjeliste protestante, duke i shpërbërë ato. Sipas letrës së hapur të katolikëve që kundërshtojnë marrëveshjen e Vatikanit me Kinën, persekutimi fetar në këtë vend nuk është ndalur kurrë dhe vet presidenti Xi Jinping e ka bërë të qartë se partia do të përforcojë kontrollin mbi fetë.

Top Channel