Opozita në fjalën e saj në KPSA u fokusua tek përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama për çështjen e kanabisit.

Kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Pollo tha se në vend është krijuar infrastrukturë kriminale prej kultivimit të kanabisit dhe se rasti i ish-ministrit të brendshëm tregon lidhjen e bandave me qeveritarët.

“Kjo është një sfidë për Shqipërinë dhe njohja e problemit në kohë është e rëndësishme, jo siç ndodhi, duke e mohuar këtë situatë për vite të tëra.”- u shpreh Genc Pollo.

Ndërsa deputeti Aldo Bumçi iu referua edhe raportit të Departamentit të Shtetit dhe tha se “kanabizimi i Shqipërisë është projekt politik i kryeministrit Rama”.

“Kryeministri publikisht bënte shaka me ministrin e tij të emigracionit, kur i thoshte se për ditëlindjen tënde të kam sjellë verë dhe jo hashash, sepse ti nuk e pi”- vuri ne dukje Bumçi bisedën e Ramës me Majkon.

Ai përmendi edhe qëndrimin e kryeministrit në një takim publik me fermerët, kur i pyeti se si janë me mbjelljen e hashashit. “Duhet të kuptohet se mbjellja e hashashit në të gjithë Shqipërinë është projekt politik dhe nuk ndodh nga paaftësia e shtetit për ta luftuar”- tha Bumçi në takimin me deputetët e Parlamentit Europian.

Top Channel