Pas protestave të vazhdueshme të artistëve të TK dhe deklaratave të forta të bëra prej tyre në adresë të ministrisë së Kulturës, Ministrja Kumbaro ka përsëritur të martën se është e gatshme të diskutojë me ta, në ministri.

“Që ditën e shtunë kabineti i Ministrisë është vënë në kontakt me artistët e skenës dhe ekranit, të cilët i kemi ftuar dhe kemi konfirmuar ftesën e ministres për ta bërë një tryezë nesër me ta, të mërkurën në Ministrinë e Kulturës, për të diskutuar mbi të gjitha pyetjet dhe për të ndërmarrë iniciativa te reja. Ky proces konsultimi vetëm sa ka filluar dhe fillon siç e parashikon ligji me publikimin e nismave ligjore, të cilat diskutohen në të gjitha nivelet. Jemi duke organizuar tryeza. Dje kemi pasur një takim me përfaqësues të Skenës së Pavarur të gjinive të ndryshme, ku hapëm terrenin për të marrë inicativa të tjera të përbashkëta në interes të kulturës”, tha ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Ministrja përsëriti të martën se Teatri Kombetar ka nevojë për rikonstruksion, por se për të nuk ka ende një projekt.

“Nuk është e vërtetë as përkohesisht dhe as përgjithmonë që aty do të vendoset Teatri i Operas dhe Baletit. Kur ta kemi projektin që kërkon kohën e vetë do t’ua bëjmë publik, çdo informacion hap pas hapi”, vijoi Kumbaro.

Mbetet për të parë se çfarë do të prodhojë dialogu mes ministres dhe artistëve, nëse takim do të zhvillohet të mërkurën

Top Channel