Autostrada që shkatërroi rrugët; Tiranë-Elbasan, u shkel kontrata

13/02/2018 19:54

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë në dorëzim rrugën Elbasan-Tiranë, nga Elbasani e deri tek tuneli.

Ky fakt ka indinjuar banorët e fshatrave që shtrihen rreth autostradës të cilët deri tani kishin shpresuar që akset ndërlidhëse të këtyre fshatrave, të dëmtuara gjatë ndërtimit të rrugës do të rikonstruktoheshin.

“Ne na persekutuan, na prishën tokat, na lanë kështu. Është shumë problem që të kalojnë njerëzit në autostradë tani,” shprehet një banor.

“Ne na shkatërroi, nuk na ndërtoi. Rruga ishte me asfalt nga këtu deri te komuna,” thotë një tjetër banor.

Sipas kontratës e cila daton në Tetor të vitit 2012 e nënshkruar nga ARRSH, supervizori, kontraktori dhe përfaqësuesit e komunës së asaj kohe, kontraktori merr përsipër të rehabilitojë të gjitha akset që ka përdorur gjatë ekzekutimit të punës së tij. Konkretisht rrugët e fshatrave Shijon, Reçan, Shtëmajë e Dopaj.

Sipas edhe kësaj kontrate supozohej që rruga të përmirësonte jetesën e banorëve në zonën rreth projektit dhe jo të krijojë probleme sociale. Por çfarë ndodhi? Zona u izolua sepse nuk u parashikuan lidhje të fshatrave me autostradën.

“Rruga është skandaloze, është e pakalueshme,” shprehet një banor.

“Rrugët dytësore janë dëmtuar afërsisht në gjashtë fshatra,” shton një banor tjetër.

Top Channel