Astrit Veliaj në vend të Halimit? Gratë e PD-së në Berat refuzojnë mandatin e deputetes

13/02/2018 11:29

Dy kandidatet gra në listat e Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit, Juvina Jani dhe Monika Qosja, kanë depozituar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjet nga kandidimi duke refuzuar mandatin e deputetit.

Kjo bën që mandati i mbetur i lirë pas dorëheqjes së deputetit Eduard Halimi t’i kalojë biznesmenit, Astrit Veliaj.

Në dorëheqjet e depozituara nga Jani dhe Qosja, bie në sy ngjashmëria e fortë në formë dhe përmbajtje. Të dyja kandidatet e motivojnë refuzimin për t’u bërë deputete me “motive personale”.

Dy zonjat renditeshin në fund të listës së demokratëve për Beratin, qark për të cilin selia blu ka paguar edhe gjobën për mosrespektim të kuotave gjinore. Sipas kësaj, mandati i lënë nga Eduard Halimi duhet t’u shkonte fillimisht dy grave dhe vetëm nëse ato refuzojnë, siç edhe ndodhi, ndiqet renditja e meshkujve, ku i dyti në listë gjendet Astrit Veliaj.

Skema risjell në kujtesë për nga ngjashmëria atë që ndodhi me listën e socialistëve në Qarkun e Lezhës mandatin e kaluar, ku kandidatet Mejreme Delishi dhe Mirela Neli refuzuan mandatin që më pas i shkoi Arben Ndokës.

E njëjta gjë ndodhi në Laç me listën e demokratëve, ku ish-zv/trajneri i Kombëtares, Vasil Bicaj, refuzoi mandatin, gjë që mundësoi futjen në Parlament të Mhill Fufit.

Por Astrit Veliaj refuzoi çdo krahasim. As ai nuk pranoi të fliste në kamera, por gjatë një bisede telefonike i tha Top Channel se nuk kishte ushtruar asnjë lloj influence ndaj dy kandidateve Jani dhe Qosja që këto të refuzonin mandatin. “Hera e fundit që kam kontaktuar me to ka qenë në fushatë”, tha kandidati.

Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se rasti i Astrit Veliajt në Berat, nuk ka ngjashmëri me atë të Arben Ndokës, pasi sipas tij nuk ka pretendime për kriminalitet.

Ai tha se është çështje e KQZ mandati i lënë i lirë nga Eduart Halimi.

“Astrit Veliaj është nr. 2 në listën e Beratit. KQZ vendos se kush do të marrë mandatin. Këto janë çështje të KQZ dhe të vullnetit të personave përkatës. Në asnjë gjë nuk ngjan me Arben Ndokën. Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet”, tha Basha.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel