60 familje të komunitetit rom në Shkozë kanë marrë shtëpitë e reja, falë projektit “New House-New Life nga Bashkia e Tiranës dhe IADSA.

“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur diçka, e cila ka qenë gangrenë për qytetin tonë për vite të tëra. Në 27 vjet mund të jenë bërë 270 kronika vetëm për këtë komunitet. Por, sot e them me krenari se jemi qyteti ose kryeqyteti i vetëm në Europë, që nuk ka një komunitet rom që jeton në një lagje me tenda në territorin e qytetit. Ta arrish këtë në një vend si Shqipëria, do të thotë se kemi shumë dinjitet. S’do të thotë të jesh i pasur për të pasur dinjitet, do të thotë që të vendossh të gjithë energjinë e donatorëve dhe qeverisë për të arritur diçka të bukur”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Për ndërtimin e këtyre banesave, kryebashkiaku i Tiranës shprehu mirënjohje të veçantë për qeverinë dhe ambasadorin italian, që bënë të mundur kurorëzimin me sukses të një bashkëpunimi të nisur vetëm një vit më parë.

Projekti “New House – New Life” u realizua përmes marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe IADSA, për rehabilitimin e vendbanimeve të komunitetit rom në Shkozë dhe që kishte për qëllim krijimin e një qendre të re banimi, në territorin e quajtur si “ish Kombinati i Autotraktorëve”, truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Përmes këtij projekti u bë i mundur instalimi i 60 strukturave, banesa një-katëshe, me hapësira në përputhje me numrin e anëtarëve të familjeve, me standarde për jetesë të përshtatshme dhe komoditet.

Ndërkohë, të gjitha familjet përfituese rome në shkëmbim të përdorimit pa pagesë të banesës kanë detyrimin të përmbushin në mënyrë të vazhdueshme detyrime, që lidhen me mosshfrytëzimin ekonomik, të marrin masat dhe të sigurojnë regjistrimin e fëmijës në shkollë dhe ndjekjen e rregullt të programit mësimor, të sigurojnë trajtimin shëndetësor të fëmijëve, kur është i nevojshëm. Gjithashtu, këto familje duhet të marrin masat për të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile fëmijët e porsalindur dhe të pranojnë punësimin nga Zyra e Punës.

Top Channel