Shqipëria ka rënë dakort që kufijtë detarë dhe tokësorë të saj të kontrollohen nga misioni Frontex i Bashkimit Europian.

Komisioneri Dimitris Avramopulous ka nënshkruar në Tiranë marrëveshjen me ministrrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Marrëveshja për migracionin parashikon ardhjen e ekspertëve të Frontex.

“Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të vendosen në Shqipëri ekipe nga Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Në fakt, siglimi i kësaj marrëveshjeje shënon edhe fundin e negociatave. Marrëveshja do të firmoset në mënyrë zyrtare diçka më vonë, mbasi të dy palët të kenë përfunduar procedurat e tyre ligjore të brendshme”, deklaroi Komisioneri Avramopulous.

Për luftën ndaj trafikut të drogës, Komisoneri Avramopulos njoftoi rënien dakort dhe firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi me Shqipërinë.

“Kjo marrëveshje për drogën i jep mundësi Shqipërisë që të përfitojë financime dhe fonde që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës dhe kam kënaqësinë të them që ne tashmë do të mbështesim ato nisma që janë të rëndësishme për luftën tonë të përbashkët kundër drogës”, vijoi Komisioneri.

Avramopulous nënvizoi në fund edhe rëndësinë që kanë këto dy marrëveshje për vendin tonë.

“Këto marrëveshje janë hapat e para drejt finalizmit të destinacionit tuaj të afrimit në BE”, tha ai.

Top Channel