Krijimi i korsive të biçikletave në Tiranë ka dhënë efektet e para, pasi po përdoren masivisht nga qytetarët.

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shkruan se “po të vazhdojmë kështu, do kemi Tiranën moderne”.

Gjithashtu, në Tiranë ka filluar dhe promovimi i kulturës së përdorimit të biçikletës tek fëmijët e vegjël, që në të ardhmen do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në uljen e trafikut, por njëkohësisht edhe për një mjedis më të pastër dhe jetë të shëndetshme.

Në zbatim të strategjisë së transportit të qëndrueshëm në kryeqytet, Bashkia e Tiranës parashikon sistemim e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues duke i kushtuar një vëmendje edhe lëvizjes me biçikleta. Projekti parashikon fillimisht ndërtimin e 10 km korsi të dedikuara.

Nisma e Bashkisë për ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, i paraprin edhe projektit “bike-sharing” të bashkisë, që pritet të shtojë numrin e biçikletave që do të mund të përdoren në kryeqytet, kundrejt një pagese që është përllogaritur të jetë më e ulët se ajo për biletën e transportit urban.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel