Vrasja e Ivanoviç, 48 orë paraburgim dy policëve serbë në Mitrovicë

11/02/2018 12:28

Dy pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës u arrestuan të shtunën lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

Dy policët dyshohen se kanë kryer veprën penale të manipulimit të provave. Në një njoftim të Inspektoriatit të Policisë së Kosovës thuhet se, me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përveç arrestimit janë kryer dy bastisje dhe janë konfiskuar një revole dhe dy karikatorë me fishekë.

Dy të arrestuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Mediet vendase cituan zyrtarë të Prokurorisë të kenë thënë se të dyshuarit po hetohen për mënyrën sesi është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit, si dhe pasojat e veprimeve të tyre.

Udhëheqësi i Nismës qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç u vra me armë zjarri më 16 janar në veriun e Mitrovicës.

Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë, përfshirë edhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilat krahas thirrjeve për zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes, bënë apel për qetësi, me frikën se incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.

Hetimet për vrasjen e Ivanoviç po vazhdojne ende, ndërsa institucionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë dakord të shkëmbejnë informacionet, që do të mund të ndihmonin në zbardhjen e vrasjes.

Top Channel