Kredia e butë, Veliaj: Në fund të shkurtit rifillojmë aplikimet

11/02/2018 14:42

Në fund të muajit shkurt, Bashkia e Tiranës do të rihapë programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi. Këtë e bëri të ditur vetë kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë një dreke me një prej familjeve përfituese të një viti më parë.

“Programi do të rifillojë në fund të shkurtit. Shpesh na është dashur të shpjegojmë se bashkia ka paketa të ndryshme, për kategori të ndryshme të shoqërisë. Që do të thotë, nëse je tërësisht në nevojë, kemi qendrat e emergjencës; nëse ke pak mundësi, kemi banesat sociale me qira minimale, 30 mijë lekë të vjetra; për dikë tjetër që thotë: ‘Jo nuk dua të jem pronar i një shtëpie’, kemi bonus qiraje. Por, kur vjen puna tek një kategori tjetër, pra për shtresën e çifteve të reja, që duan të krijojnë familjet e tyre në Tiranë, kredia e butë është një ofertë perfekte”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se programi për kreditë e buta për strehim tregoi se Bashkia e Tiranës i erdhi në ndihmë jo pak, por 1 mijë familjeve të reja dhe në nevojë, që nuk kishin mundësi të përballonin interesat e tregut për të blerë shtëpinë e tyre. Ai nënvizoi se fituesit e thirrjes së dytë, duhet t’i ndjekin procedurat me bankën brenda vitit, që të shpallen fitues të kredisë së butë.

Në 2017-ën, nga ky projekt u miratuan 1000 familje përfituese. Kategoritë përfituese të programit për mbështetjen për strehim me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve janë: familjet e reja; familje një prindërore me fëmijë në ngarkim; familje me më shumë se tre fëmijë; familje të shpronësuara; familje të prekura nga investime publike; familje emigrant i rikthyer, si dhe në rastet e dhunës në familje.

Top Channel