Kupa e Mbretit, Sevilla kalon në finale pasi mposht Leganesin

08/02/2018 09:00

Sevilla është skuadra e parë finaliste e Kupës së Mbretit. Skuadra andaluziane fitoi ndeshjen e kthimit me Leganes, të zhvilluar në “Sanchez Pizjuan”, me rezultatin 2-0, ndërkohë që rezultati i përgjithshëm është 3-1, pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë.

Sevilla nuk priti shumë kohë për të kaluar në avantazh në këtë ndeshje. Andaluzianët e Vincenzo Montellës e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 5-të me anë të Correas, pas këmbënguljes së Muriel për të dërguar topin në zonë.

Më pas, kjo ndeshje pati momente qetësie deri në minutën e 32-të, kur Leganes vuri në provë Sergio Rico me anë të Gabriel Pires.

Në 10 minutat e fundit të pjesës së parë pati raste nga të dyja skuadrat. Sevilla me Banegën e Leganes me Pires.

Në pjesën e dytë ishte Sevilla që u shfaq superiore në fushën e lojës, por golin që vulosi përfundimisht kualifikimin për në finalen e Kupës së Mbretit e shënoi në minutën e 90, me Franco Vasquez.

Mbrëmjen e kësaj të enjteje do të luhet ndeshja tjetër gjysmëfinale, mes Valencias e Barcelonës në “Mestalla”, me katalanasit që e kanë fituar sfidën e parë 1-0.

Top Channel