Bisedimet në Bruksel, sondazhi: Qytetarët duan përfshirjen e SHBA

08/02/2018 18:00

Gjysma e qytetarëve të Republikës të Kosovës mendojnë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk duhet të vazhdojë, nëse nuk do të ketë përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proces.

Shifrat vijnë nga sondazhi i Institutit Demokratik të Kosovës për pritshmëritë e qytetarëve rreth fazës përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi.

“Pjesa më e madhe e qytetarëve thonë se nuk duhet të ketë dialog Kosovë-Serbi, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në këtë proces. Pra, janë 49 për qind e qytetarëve që thonë se pa përfshirjen e SHBA-ve nuk duhet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi. 51 për qind vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk do të arrijë të përmbyllet në vitin 2018”, tha Jeta Krasniqi, nga KDI.

Pjesë e sondazhit të KDI-së ishte edhe pritshmëria e qytetarëve lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Kemi vetëm 31 për qind të qytetarëve, që mendojnë se Serbia do ta njohë Kosovën në përfundim të dialogut. Në mesin e tyre, 30 për qind janë shqiptarë, kurse 1 për qind janë të komunitetit serb”, tha Egzon Osmanaj, nga KDI.

Sondazhi i KDI-së tregoi se gjysma e qytetarëve të anketuar mendojnë se dialogu në Bruksel nuk ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ndaj 27% të atyre që mendojnë të kundërtën.

Top Channel