Zv.presidenti i UEFA-s, Surkis: Proces demokratik e transparent

07/02/2018 14:52

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së i ka përshëndetur edhe zv.presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis, i pranishëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj të mërkure, por që ka ardhur në Tiranë prej afro një jave për monitorimin e procesit, që duket se ka marrë notat më të larta.

“Mendimi im është se familja e futbollit shqiptar tregoi sot një nivel të lartë të tolerancës. Pavarësisht të gjitha vështirësive që pati në ditën e fundit përpara punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegatët demostruan një nivel të lartë të parimeve të demokracisë dhe transparencës. Gjëja kryesore mendoj se është respekti ndaj njëri-tjetrit. Sigurisht që pati një kandidat fitues nga këto zgjedhje, pati gjithashtu dy kandidatë që nuk ia dolën me sukses në këtë garë, por mendimi im është se nuk ka të humbur”, tha Surkis.

Zv.presidenti i UEFA-s vuri theksin te përpjekjet e vazhdueshme, e pse jo të përforcuara, për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.

“Nuk është domosdoshmëri të jesh president i Federatës Shqiptare të Futbollit, për të ndihmuar futbollin lokal të zhvillohet në mënyrë të suksesshme. Duke parë programin e kandidatëve të tjerë, veçanërisht të Finos, besoj se ai ka ide të qarta sesi mund ta ndihmojë futbollin shqiptar drejt progresit. Ndaj u bëj thirrje të gjithë kandidatëve të bashkojnë përpjekjet e tyre në ndihmë të futbollit, në mënyrë që të arrijë nivele të reja më të larta”, deklaroi më tej Surkis.

Në fund, edhe një urim për fituesin.

“Dua të uroj gjithashtu kandidatin fitues, që i ka dedikuar 16 vite futbollit shqiptar, Armand Dukën, për fitoren në Asamblenë e Përgjithshme të sotme”.

Top Channel