Premier League pritet të ndryshojë kalendarin dhe të përfshijë edhe pushimet dimërore, siç ndodh në kampionatet më të rëndësishme në Europë: La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1.

Sipas rrjetit BBC, ndryshimet në kampionatin anglez pritet të ndodhin duke nisur nga viti 2019, kur do të hyjë në fuqi kontrata e re e të drejtave televizive.

Gjithnjë sipas BBC-së, drejtuesit e klubeve të Premier League kanë zhvilluar prej muajsh bisedime me ata të Federatës së Futbollit, në lidhje me përfshirjen e pushimeve dimërore në kalendarin e kampionatit mes muajit dhjetor e janar.

Gjithsesi, ky pushim dimëror nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në javën tradicionale të futbollit anglez, atë të 26 dhjetorit që njihet si “Boxing Day”.

Një ndryshim i tillë pritet me entuziazëm nga shumica e trajnerëve të kampionati anglez, të cilët e kanë kërkuar me forcë një gjë të tillë, siç ishte rasti i Pep Guardiolës. Trajneri i Manchester Cityt, në muajin dhjetor deklaroi se kalendari i ndeshjeve që luhen në periudhën e Krishtlindjes i dëmton shumë futbollistët.

Kontrata e re e të drejtave televizive për Premier League pritet të jetë 3-vjeçare, për periudhën 2019-2022, e lajmi zyrtar për nënshkrimin e saj pritet të publikohet javën e ardhshme. Shifra që do të paguhet për këtë kampionat është më shumë se 5.8 miliardë euro që paguajnë aktualisht “Sky Sport” dhe “BT Sports” për transmetimin e 168 ndeshjeve.

Top Channel