Beogradi diskuton ndarjen e Kosovës, Vulin: S’mund ta zgjidhin burokratët e BE këtë çështje

06/02/2018 19:17

Në strategjinë e zgjerimit të publikuar nga Bashkimi Europian këtë të martë u konfirmuan zërat se Serbia dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen më pranë procesit të anëtarësimit me unionin.

Por, ndërsa për Malin e Zi nuk ka ndonjë pengesë të pakalueshme, për Serbinë “dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve” me Kosovën është togfjalëshi kyç në këshillat e dhëna nga Brukseli për Beogradin sa i takon avancimit të procesit.

E si gjithmonë, kur flitet për Kosovën, në Beograd debatet janë të shumta dhe pas publikimit të strategjisë në të është përfshirë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

“Ne nuk duhet t’ja lëmë në dorë burokratëve europianë për zgjidhje këtë çështje kombëtare”, deklaroi ai.

Në një tryezë të organizuar në kuadër të debatit për Kosovën, një nismë e Presidentit Aleksandër Vuçiç, Vulin jep edhe zgjidhjen, sipas tij.

“Ajo që duhet të ndodhë në Kosovë është ndarja afatgjatë dhe e fortë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, vijoi ministri serb.

Ministri serb, nuk sqaroi se si do të mund të dukej ndarja e Kosovës, por idetë e tilla zakonisht kanë përfshirë veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku vazhdon kundërshtimi i shtrirjes së sovranitetit të Prishtinës.

Ideja e ndarjes është hedhur edhe më herët nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por ai u kujdes të theksojë në atë kohë se ky nuk ishte qëndrimi i qeverisë, por i tiji personal.

Ndërkohë, vetë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka theksuar disa herë se duhet të gjendet një zgjidhje për Kosovën, e cila nuk do të ishte e kënaqshme për asnjërën palë, por pa saktësuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë.

Top Channel