Prej gati katër dekadash vdekja e saj ka qenë e mveshur nga një mjegull misteri, të cilën autoritetet amerikane nuk kishin mundur ta shtjellonin…të paktën deri më tani.

Hetimet për vdekjen e aktores Natalie Wood, e mbytur gjatë një udhëtimi me varkë për në ishullin Santa Catalina në vitin 1981 u rihapën në vitin 2011.

Në atë kohë, Dennis Davern, kapiteni i varkës së quajtur Splendour rrëfente se kishte gënjyer policinë pas vdekjes së aktores dhe nuk ishte treguar plotësisht i sinqertë në deklaratat e dhëna për bashkëshortin e Natalies, Robert Wagner.

Davern pranoi se një natë para se të vdiste, Natalie u përfshi në një zënkë të fortë me Robert.

Menjëherë pas zbardhjes së këtyre detajeve, policia e Los Anxhelesit njoftoi se do të pyesë Robert Wagner, tashmë 87 vjeç.

“Në këto gjashtë vite që kemi rihapur çështjen, mendoj se Wagner është më tepër se një person që na intereson për hetimin. Dua të them që ne e kemi të qartë tashmë se ai ishte njeriu i fundit me Natalie para se ajo të zhdukej”, deklaroi John Corina nga policia e Los Anxhelesit.

Bashkë me Natalie Wood e Robert Wagner, në varkën “Splendour” ndodhej edhe Christopher Walken.

Top Channel