Qeveria nis projektin e “Rilindjes” në fshat. Duke nisur që nga fundi i këtij muaji do të nisë mbështetja financiare për 100 fshatrat, për rijetësimin e ekonomisë në fshat. Gjirokastra ka numrin më të madh të fshatrave të përzgjedhur.

Ministria e Bujqësisë ka përzgjedhur 100 fshatra në të gjithë vendin, ku projektet do të mbështeten me fonde duke nisur nga fundi i shkurtit. Sipas qeverisë, ky program bëhet kështu pjesë e skemës kombëtare për zhvillimin rural, që synon rijetësimin e ekonomisë në fshat.

“Kushte të reja për ta parë jetën në fshat si një të ardhme të lidhur jo thjesht me prodhimin bujqësor në funksion të tregut, por edhe si zhvillim turistik me bazë bujqësore”, tha Rama.

Ministri i Bujqësisë tregon si u përzgjodhën 100 fshatrat: “Kemi zgjedhur ato fshatra që kanë treguar në këto 25 vite edhe pa një politikë mbështetjeje të posaçme të ndërtojnë diçka, pra të promovojnë një prodhim tipik, të ndërtojnë një festë tradicionale, ta kthejnë atë në një burim vizitoresh”, u shpreh Niko Peleshi.

Gjirokastra është qarku me më shumë fshatra të përzgjedhur si pjesë të programit, me 13 të tillë. Projektet do të paraqiten në Ministrinë e Bujqësisë, ku një grup pune i formuar edhe nga Ministria e Turizmit, Mjedisit dhe ajo e Kulturës do të përcaktojnë fituesit.

Top Channel