Në bashkinë e grushtave, pas dhunës në Dibër flasin personazhet dhe qytetarët

02/02/2018 19:47

Pas përplasjeve të dhunshme brenda bashkisë së Dibrës, institucioni duket se i është rikthyer punës, me një prani të dukshme policësh rreth e qark godinës.

“Të gjitha i morëm ato që na u deshëm’, thotë një qytetar për shërbimin në bashki.

Një kat më sipër shenjat e dhunës janë ende aty. Në katin e tretë, ndodhi sherri masiv ku u përfshinë rreth 20 vetë, të pajisur me mjete të forta, deri në shkopinj bejsbolli. Në këtë përleshje mbetën të plagosur 4 persona.

Top Channel kërkoi një prononcim nga kryetari i bashkisë Muharrem Rama, por nuk ndodhej ne punë.

Versionin e tij të historisë kryebashkiaku e dha në “Facebook”, ku fajësoi drejtuesit lokalë të PDIU-së se po i bëjnë rezistencë reformës së tij në administratën.

Lëvizja që i dha shkas dhunës ishte zëvendësimi i shefit të burimeve njerëzore Shaban Uklala, një njeri i PDIU-së, me një njeri të socialistëve nga Tepelena, shtetasin Drini Mataj.

“Arsyeja reale e largimit tim nga ai post, ishte se nuk i përshtatesha dot qëllimeve të kryebashkiakut. Ka kërkuar që të bëhen emërime që janë në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Konkretisht, të bëjë komandime pa respektuar proceduarën. Kur lirohej një vend pune, ai kërkonte ta komandojë dhe më pas të bëhej procedura. Atëherë, ky është një proces i diktuar”, u shpreh Shaban Uklala, ish-drejtor i Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Dibrës.

Koordinatori i PDIU-ne për Dibrën, Altin Koltraka, akuzon socialistët se kanë shkelur marrëveshjen parazgjedhore qe solli fitoren e kryebashkiakut socialist Muharrem Rama.

“Që të dalim te dhuna duhet të shohim arsyet që çuan te dhuna. Nisi me prishjen e marrëveshjes dhe me shkarkimet dhe me vërejtjet që iu dha personave të PDIU nga një copë letër. Këta persona dolën në rrugë. Absolutisht që dhuna nuk është e justifikueshme”, shprehet Koordinatori i PDIU-ne për Dibrën, Altin Koltraka.

Viktimat e dhunës janë në spital. Specialisti i auditit te bashkisë Hektor Daci, 48 vjeç, baba i tre fëmijëve, tregon ngjarjen.

“Janë futur dhe kanë qëlluar me shkopinj bejsbolli. Ishte një nga punonjësit e bashkisë, me mbiemër Bitri, i cili kishte deri në 20 veta nga pas. Drejtori i Burimeve Njerëzore që ka qenë më parë, ka futur në punë njerëz pa asnjë kriter, njerëz që kanë marrë rrogë edhe pa shkollën e duhur, ndërsa nuk vinin fare në punë. Me sa di ka drejtorë me diploma false. Unë e kam kushëri, por ka qenë prezent nënkryetari i bashkisë, por nuk mund të them se ka qëlluar”, u shpreh nga spitali, Hektor Daci.

Nenkryetari i bashkise Ernolt Cani, është arrestuar dhe gjykata ka dhënë për të burg pa afat. Në rrugët e Peshkopisë, qytetarët kanë mendimin e tyre për ngjarjen.

“Të mjerët ne, që është futur këtu demokracia”, shprehet një prej banorëve.

“Dibra është patriotike, nuk duhet të zgjidhen gjërat me forcë”, thotë një tjetër qytetar.

“Burrat nuk rrihen me dru”, thotë një tjetër qytetar.

Papunësia në bashkinë e Dibrës shkon deri në 45% të forcës aktive për punë. Në këto kushte, tepsia e pushtetit mbetet e vetmja mundësi punësimi për shumëkënd. Por tepsia është e vogël, kurse uria e madhe.

Top Channel